Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Zagreb, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anušić.

Gjatë kësaj vizitë, ministri Peleshi u takua edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë Andrej Plenkoviç.

Me Plenkoviç, Peleshi pati një bisedë për zhvillimet dhe reformat që Shqipëria ka ndërmarrë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Krenarë të vijojmë këtë bashkëpunim të ngushtë e të shkëlqyer me një aleate si Kroacia”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Qëllimi i vizitës ishte intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, adresimi i çështjeve aktuale të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe iniciativave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare./ata