Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vitet e ardhshme do të shënohet kthesë sa i përket mjekëve që kërkojnë të kthehen nga Gjermania në vendin tonë.

Ai tha se, “jam i bindur unë personalisht, që vitet e ardhshme do të shënojnë një kthesë edhe në këtë aspekt”.

Në aktivitetin për autonominë menaxheriale për QSUNT dhe 4 spitale Rajonale, ku mori pjesë dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, Rama u shpreh se, “në vizitën që bëra në Munih para pak ditësh, më kanë takuar disa mjekë, nuk mund të flas akoma sepse nuk jam i autorizuar të flas në emër të tyre, por disa mjekë shqiptarë që punojnë në Gjermani, jo stazhierë, por shumë të mirëpozicionuar të cilët më kanë shprehur jo dëshirën, por më kanë shprehur interesimin që të kthehen dhe të punojnë në sistemin publik shqiptar dhe natyrisht që ka shumë arsye për ta bërë këtë”.

“Por unë do ta përkufizoj vetëm me një fjalë që e dëgjova nga të tre ata që ishin aty, që përfaqësonin një grup më të madh mjekësh. Një prej tyre tha “kam kaq vite në Gjemani’’, 12 a 13 vjet. “Punoj në një nga spitalet më prestigjioze, kam të gjitha kushtet profesionale. Pa diskutim, paguhem njësoj si një mjek gjerman në ketë nivel, po jam bosh. Jam bosh dhe kur mendoj që ikën 14 vjet dhe kështu mund të ikin dhe 14 të tjera, mund të ikin dhe 24 të tjera dhe një ditë të bukur mund të gjendem në kushtet e pensionit pasi e kam kaluar gjithë jetën nga shtëpia në spital, nga spitali në shtëpi, me kolegë shumë të respektueshëm, por me të cilët as nuk zihesh dot se kur do të zihesh, thjesht nuk të flasin, atëherë kam frikë se do të kem një hall shumë të madh. Kështu që dua të kthehem në Shqipëri, dua të punoj në Shqipëri’’”, tha Rama.

“Kjo ndjenja e boshllëkut, ndjenja e viteve qe kalojnë dhe ndjenja që shumë dije dhe shumë eksperiencë mund t’i vihet në shërbim vendit dhe mund të merren mbrapsht disa kënaqësi që nuk janë në atë zarfin e pagës, ishte ajo që unë kuptova nga të tre ata. Natyrisht konkluzioni në të cilin ata kishin dalë për tu kthyer, vinte edhe si rezultat edhe i faktit që kishin parë situatën e disa spitaleve. ‘’Kemi hyrë”- thanë, – “tinëz, thjesht për të parë çfarë bëhet sepse nga televizori nuk besonim dot që ishin ashtu spitalet në Shqipëri”. Edhe përmenden spitalin e sëmundjeve të brendshme”, theksoi Rama.

“Thanë që ai, në Gjermani do të ishte pa diskutim ndër spitalet më të mira sepse duke qenë se është bërë tani, janë blerë aparaturat më të fundit dhe do vazhdojmë ta pajisim, tani po punojmë me ministren për të sjellë robotët për operacionet , që është një tjetër shkallë dhe këtë të robotëve unë e dëgjova gjerë e gjatë kur rrija shtrirë atje me atë demokratin që më rrinte tek koka, kështu që besoj shumë, që kemi të gjitha arsyet të ndihemi të inkurajuar e të ndihemi optimistë dhe pa diskutim, që tani më shumë sesa dje kur e thoshim, por shumë gjëra duheshin bërë për ta besuar, kemi shumë arsye konkrete në realitetin e shërbimit shëndetësor, në realitetin e spitaleve për të besuar plotësisht se Shqipëria e vitit 2030 do të jetë një vend me një shërbim shëndetësor që do t’ju krijojë gjithë shqiptarëve kushtet psikologjikë të plota për të mos shkuar jashtë, përveçse në rastet kur natyrisht kanë nevojë për operacionet super të specializuara, që ju e dini më mirë sesa unë dhe sesa të gjithë të tjerët që ka një kategori ndërhyrjesh dhe ka një kategori terapish që edhe në Bashkimin Europian nuk i bëjnë të gjitha shtetet, po përveç se në ato raste shumë të veçanta, të gjitha të tjerat i bëjnë këtu” u shpreh Rama./ata