Fëmijët që ndjekin mësimin në programin pas shkolle në qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës, u bënë bashkë në një aktivitet interaktiv dhe lexuan në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit. Ata diskutuan mbi pranimin e vetes dhe të tjerëve si të ndryshëm, dhe njëkohësisht të barabartë.

Ndërsa të rinj dhe aktivistë që përfunduan Bootcamp “Resilience X”, kishin zgjedhur librin “Ngjyrat e Ylberit”, të cilin e lexuan dhe diskutuan mbi të. Në përfundim, me mesazhin “Edukimi është një hap i madh drejt paqes dhe zhvillimit!”, fëmijët i vendosën portretizimet e tyre në një ylber të madh që vizatuan vetë, në hyrje të Qendrës “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës.

Programi pas-shkollor është një nga shërbimet shumë-sektoriale që ofrohen falas për komunitetet vulnerabël, në Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës.

Aktualisht, 35 fëmijë që vijnë nga familje vulnerabël në Durrës, marrin këtë shërbim në Qendër, duke sjellë një ndryshim domethënës në zhvillimin akademik të fëmijëve dhe duke i pajisur ata me aftësi jetësore e sociale për të përballuar krizat, vështirësitë dhe traumat me të cilat janë përballur në moshë të hershme.

Ky aktivitet është pjesë e programit “Fuqizojmë Komunitetin”, financuar nga USAID/Albania, dhe zbatuar nga PNUD në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë Durrës dhe Qendrën Komunitare “Sot për të ardhmen”./ata