Viti 2023 shënoi një fluks të lartë pasagjerësh në Portin e Durrësit.
Autoriteti Portual Durrës bën të ditur sot se “nga Terminali i Trageteve gjatë vitit që lamë pas, 409,839 pasagjerë janë regjistruar në hyrje dhe 418,013 në dalje, me një rritje me 3% krahasuar me vitin 2022”.
Sipas APD-së, mbi 827 mijë pasagjerë dhe 96,429 automjete kanë udhëtuar nga/ drejt Portit të Durrësit përgjatë vitit 2023.
Gjithashtu njofton APD-ja, fluksi i hyrje-daljeve të shtetasve të huaj ka shfaqur një rritje prej 22% në raport me janar-dhjetorin 2022, çka dëshmon edhe numrin e lartë të turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë.
Të njëjtat burime saktësojnë se, për periudhën 2019-2023, kanë njohur një rritje të konsiderueshme prej 33%, shifrat e hyrje-daljeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, ndërkohë që referuar të njëjtës periudhë 5-vjeçare, këto të dhëna pasqyrojnë një rritje mesatare vjetore të udhëtarëve në masën 16%.
Ky trend rritës në sektorin e udhëtarëve është reflektim jo vetëm i një sezoni shumë të suksesshëm turistik por gjithashtu edhe i politikave tarifore të implementuara nga APD, të cilat vijojnë të mbeten të pandryshuara në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe turizmit vendas./ata