Shqipëria po kthehet në një atraksion të ri turistik duke u promovuar jo vetëm në vendet europiane, por edhe më tej në vende të Amerikës Latine.
Në podkastin “Flasim” ku kishte te ftuar një çift shqiptaro-libanez, Kryeministri Edi Rama foli për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit në Madrid, ndërsa theksoi se vendi ynë po promovohej edhe në stendat e Argjentinës dhe të Kilit.
“Ne ishim në panairin e turizmit në Madrid. Në stendat, në ato hapësirat e Argjentinës, të Kilit ishin fotografi të Beratit, Ksamili. Dhe operatorët e tyre në stendën e Argjentinës dhe të Kilit thoshin një nga destinacionet e reja është Shqipëria”, tha ai.
Ndërkohë, Rama tha se vëmendja tani është tek turizmi malor.
“Nga ana tjetër u pa shumë qartë, sepse ne jemi të fiksuar te deti dhe plazhi, ndërkohë që malet e Shqipërisë janë një pjesë e jashtëzakonshme e pasurisë tonë. Kanë filluar të zbulohen e ka shumë njerëz që shkojnë atje, problem është se ne nuk kemi akoma nëpër ato zona, cilësinë, hotelet, infrastrukturat por dhe ato pak që janë, janë plot. Sa më shumë të bëhen aq më shumë do të duhen”, tregoi Rama.
Gjatë vitit 2023 Shqipërinë e vizituan 10.1 milionë turistë./ata