Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai do të drejtojë qeverinë teknike për 100 ditë, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Por kush është kryeministri shqiptar që do të qeverisë Maqedoninë e Veriut?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë.

Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj. Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lartë dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina.

Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, ka qenë deputet, zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i Mbrojtjes në shkurt të 2013.

Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2017 zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.

 

Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze.