Grupi i rezistencës palestineze Hamas ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se po pengon përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.

“Netanyahu i është rikthyer edhe një herë strategjisë së zvarritjes, vonesës dhe evazionit duke vendosur kushte dhe kërkesa të reja”, tha Hamasi në një njoftim.

Grupi palestinez tha se ishte informuar nga ndërmjetësit për një dokument izraelit të paraqitur gjatë një takimi në Romë për të eksploruar përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje të shkëmbimit të të burgosurve.

Siç tha Hamasi pa dhënë detaje, kushtet e reja të Netanyahu-t “sjellin një tërheqje të asaj që ndërmjetësit përçuan më parë”.

Të dielën, shefi i Mossad-it, David Barnea, drejtori i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, u takuan në Romë për të diskutuar përpjekjet për një armëpushim në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Sipas transmetuesit izraelit ‘Channel 12’, kushtet e reja izraelite përfshijnë një mekanizëm për të kontrolluar palestinezët që kthehen në Gazën veriore, për të mbajtur trupat përgjatë zonës kufitare Gaza-Egjipt, i njohur si Korridori i Filadelfit, si dhe për të marrë paraprakisht një listë me emrat e pengjeve izraelite që do të lirohen.

Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, nuk kanë arritur të bien dakord për një armëpushim të përhershëm që lejon shkëmbimin e të burgosurve midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Deri më tani, përpjekjet e tre vendeve e për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit janë penguar nga refuzimi i Netanyahu-t ndaj thirrjes së Hamasit për të ndalur armiqësitë.

Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.

Të paktën 39.300 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 91 mijë të tjerë janë plagosur. Më shumë se nëntë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të gjera të Gazës mbeten nën gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa