Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar emërimin e Talat Xhaferit kryeministër të Maqedonisë së Veriut.
Në një reagim në rrjetet sociale, Osmani, duke uruar Xhaferin, ka thënë se emërimi i tij kryeministër shënon moment historik për komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut.
“Dita e sotme shënon një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Osmani.
Osmani i uroi qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë së Veriut suksese.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me shumicë votash sot votoi qeverinë teknike me kryeministër Talat Xhaferi.
Xhaferi është kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut nga komuniteti etnik shqiptar.
Siç ishte paralajmëruar, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të parapara të mbahen më 8 maj 2024, më 25 janar Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, e më pas Talat Xhaferi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit./aa