Mazhoranca socialiste kërkon të shtyjë afatin për ligjin e investitorëve strategjikë deri në 2027-ën.

Në relacionin e projektligjit thuhet se kërkesat janë të larta për të ndërmarrë projekte të mëdha. Ekspertët në analizën e tyre për efektet e ligjit gjatë këtyre tetë viteve mendojnë se ka sjellë gjëra pozitive në zhvillimin e vendit.

“Nëse tregu e krijon këtë mundësi dhe biznesi ka interes duhet të hiqen afatet kohore për zbatimin e këtij ligji. Diversifikimi i investitorëve strategjikë dhe mosfokusimi vetëm te turizmi është domosdoshmëri për të ndihmuar ekonominë shqiptare të strukturohet në mënyrë produktive. Problematikat janë te implementimi, kështu që ligji bashkë me kuadrin ligjor dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin janë një trinom që garantojnë sukses“, tha Arben Malaj.

Por, sipas ekspertit Zef Precci shpesh ligji edhe është keqpërdorur për interesa të ndryshme.

“Në vlerësimin tim shtyrja vazhdon të reflektojë të njëjtën gjë që ka bërë në tre katër shtyrje të mëparshme. Të mbrojë interesa okulte të oligarkëve, lobistëve ndoshta dhe segmenteve të krimit të organizuar. Përcaktimi i investitorit strategjik të asistuar presupozon disa përjashtime nga taksat dhe lehtësira që garantohen nga qeveria duke përfshirë shpronësimin e trojeve publike dhe private për interes të investitorit. Së dyti duhet thënë që fjala investitor strategjik ka kuptim të ndryshme në vende të ndryshme po për fat të keq tek ne është përkthyer në klientë të qeverisë sepse gëzojnë mbështetjen e saj, bashkëpunojnë me të dhe askush nuk po e thotë që është kthyer në mekanizëm për të pompuar para të pista në ekonomi“, u shpreh Zef Preçi.

Sa i përket ndryshimeve që duhet të pësojë ligji, ekspertët bien dakord në një pikë: shtimi i monitorimit për kontratat e investitorëve strategjikë.

“Për këto ligje favorizuese kërkohet një monitorim i plotë pasi ne vëmë në dispozicion të tyre pasuri të vlefshëm të ekonomisë shqiptare dhe monitorimi duhet të jetë shumë i rreptë dhe penalitetet për moszbatimin duhet të jenë gjithashtu shumë të rrepta“, tha Malaj.

“Praktika e rekrutimit apo koncesionimit të kontratave me kompani që krijohen posaçërisht dhe 1 muaj pasi marrin kontratën transferojnë pronësinë, që nuk kanë burime financiare të identifikuara apo të tjera si këto duhet të marrin fund. Përbëjnë një kërcënim për interesin publik”, shtoi Preçi.

Sipas relacionit, në projektligj janë 34 projekte që janë në fazë vlerësimi, ndërsa deri më tani janë dhënë leje për 40 investitorë, ku 90% e tyre kanë qenë për kompani me pronësi shqiptare.