Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Basha përmes një postimi në rrjetet sociale thekson se Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
‘Urime të përzemërta Talat Xhaferit, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmetit, kjo do të ishte e pamundur. Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur.’- shkruan Basha.