Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan tha se Izraeli po zbaton politikë sistematike për të lënë në uri Rripin e Gazës.
Sipas lajmeve në kanalin e televizionit shtetëror Al Ekhbariya të Arabisë Saudite, ministri Bin Farhan në kuadër të vizitës të tij në Kajro, zhvilloi konferencë për media me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry.
"Izraeli po zbaton një politikë sistematike për të lënë në uri Gazën", tha Bin Farhan i cili tërhoqi vëmendjen se "Nevojitet një vendim ndërkombëtar i vlefshëm dhe detyrues për të ndalur sulmet e forcave pushtuese izraelite në Gaza".
Më tej ai shtoi se shkelja e ligjeve ndërkombëtare nga Izraeli ka kushtuar me jetën e 30 mijë palestinezëve në Gaza.
Duke i bërë thirrje Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar, Bin Farhan potencoi se Izraeli duhet të detyrohet të bëjë atë që të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë dhe se kjo është respektimi i ligjit ndërkombëtar.
Kryediplomati saudit tha se prioritet është ndalimi i sulmeve ndaj Gazës dhe sigurimi i ndihmave humanitare.
- "Duhet të zbatohet vendimi i GJND-së lidhur me Gazën"
Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar. Ai tha se duhet të zbatohet thirrja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me Gazën dhe se duhet të respektohet ligji ndërkombëtar.
Shoukry e cilësoi si "mizori" vendimin e vendeve perëndimore për të pezulluar mbështetjen e tyre ndaj Agjencisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe theksoi se për veprime individuale ende nën hetim nuk duhet të ndëshkohet një organizatë e cila siguron ndihma.
Kryediplomati egjiptian theksoi se përpjekjet e Izraelit për të zhvendosur me forcë popullatën e Gazës dhe për të minuar të drejtat e tyre, kanë zgjeruar zonën e konfliktit në rajon duke shkaktuar vrasje në spiralen e dhunës.
Lidhur me krizën në Sudan, ministri egjiptian Shoukry tha se me homologun e tij saudit Bin Farhan kanë rënë dakord për arritjen e armëpushimit në Sudan./aa