Masat e rrepta të sigurisë të marra në Teksas të SHBA-së, nuk mundën të pengonin kalimin e kufirit nga emigrantët e parregullt të ardhur nga Meksika.
Një grup emigrantësh të parregullt që kaluan duke ecur në pjesët e cekëta të lumit Rio Grande i cili përbën kufirin Meksikë-Teksas, arritën të kalojnë në territorin e SHBA-së, pavarësisht telave me gjemba dhe patrullave kufitare.
Emigrantët e parregullt të cilët ekipi i AA-së i zbuloi me dron, bënë përpjekje të mëdha për të kapërcyer telat me gjemba të fortifikuar nga Garda kombëtare e Teksasit dhe për të kaluar pengesën e fundit përpara tyre dhe për të kërkuar azil.
Grupi prej 4 personash, përfshirë një fëmijë të vogël pranë tyre, pati vështirësi në kapërcimin e telave me gjemba të cilat në disa zona janë ngritur 7 rreshta njëra mbi tjetrën dhe më pas ata ranë të rraskapitur.
Ndërkohë vërehet se disa emigrantë të parregullt lihen në anën e lumit me automjete në pjesën meksikane të pikës kufitare Eagle Pass i cili është vendi që preferohet më shumë nga emigrantët e parregullt për të kaluar në SHBA.
Edhe në anën e Teksasit përveç gardhit me tela të përforcuar nga garda kombëtare, policia kufitare ka bërë roje në pikat e kontrollit në një vijë që shtrihet për kilometra nga Eagle Pass e deri në qytetet fqinje, ndërsa përgjatë ditës janë kryer patrullime me helikopterë.
Pavarësisht të gjitha këtyre masave nuk është mundur të vihet pengesë përpara dëshirës së emigrantëve të parregullt për azil në SHBA.
- Mosmarrëveshje mes qeverisë së Bidenit dhe guvernatorit të Teksasit
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott akuzoi administratën e Bidenit se nuk ka marrë masa paraprake të mjaftueshme në lidhje me sigurinë kufitare dhe urdhëroi ngritjen e telave me gjemba për rreth 4 kilometra në zonën kufitare Eagle Pass, i cili është qytet i preferuar nga emigrantët e parregullt për të kaluar në SHBA.
Administrata e Bidenit vuri në dukje se siguria kufitare është brenda kompetencave të qeverisë federale dhe aplikoi në Gjykatën e Lartë të SHBA-së për heqjen e telave me gjemba. Gjykata e Lartë vendosi heqjen e telave me gjemba të vendosura përgjatë lumit Rio Grande në kufirin me Meksikën dhe mosmarrëveshja me qeverinë e Bidenit u përshkallëzua pasi guvernatori i Teksasit, Abbott deklaroi se nuk do të zbatojë këtë vendim.
Garda Kombëtare e Teksasit, pavarësisht vendimit të gjykatës nuk lejoi që patrullat kufitare të SHBA-së të kryenin detyrën e tyre më 23 janar dhe vazhdoi të vendosë telat me gjemba ndërsa edhe guvernatorët e 25 rajoneve republikane përmes një deklarate të përbashkët thanë se janë me Teksasin./aa