Familjarët e viktimave në protestën e 21 janarit 2011 dorëzuan këtë të enjte kallëzim të ri në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për kreun e PD-së, Sali Berisha, deputetin Lulzim Basha dhe ish-gardistin Ndrea Prendi.

 

Kallëzimi vjen pasi prokuroria e Posaçme shpalli moskompetencë për hetimin e protestës me 4 të vdekur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

 

“Ne kemi dorë një kasetë audio, ku flitet për të gjithë mekanizimin që ka përdorur Garda. Identifikohet zëri i komandantit të gardës. Kjo kasetë është disponuar prej nesh, por sot mbahet nga Artan Hoxha. E dorëzojmë te SPAK, sepse te Prokuroria e Tiranës nuk kemi besim. Prokuroria e Tiranës nuk e heton atë ngjarje, jo se nuk ka prova. Si ka mundësi që kjo të na refuzojë, Prokuroria ka frikë të hetojë. Prokuroria e Tiranës e mban dosjen kot. Ne kundërshtojmë në gjykatë dhe besoj se edhe sipas konsultës që kam bërë me juristë të kualifikuar, duhet të na japin shpjegime, sepse nuk ma do mendja që të refuzohet dhe të hidhet poshtë nga gjykata speciale. Çështjen Prokuroria e Tiranës e ka në sirtar.  Edhe ne familjarët jemi palë në procesin penal. Ne nuk kemi lidhje me politikën. Ne veprojmë të pavarur. Politika atë punë ka. Kemi ardhur pa njoftuar SPAK. SPAK ta hetojë çështjen dhe kemi shpresë. Autori i vrasjes është Agim Llupo dhe Andrea Prendi, ne kërkojmë kush i prishi provat”, tha Mark Nika.

 

Më 21 janar 2011, gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

 

Gjatë protestës së 21 janarit 2011, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

 

SPAK transferoi dy paditë e dorëzuara nga PS për hetim në prokurorinë e Tiranës. Aleks Nika është vrasja e vetme e pazbardhur nga drejtësia.

 

Në fund të janarit, ishte Partia Socialiste e cila depozitoi në SPAK kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale në rrethana të tjera cilësuese, referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011, duke e konsideruar provë të re audiopërgjimin e publikuar në media që, sipas PS-së, hedh dritë mbi vrasjen shtetërore të 4 qytetarëve të pafajshëm nga armët e pushtetit të Sali Berishës.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri tha në atë kohë se “dialogjet e bëra publike midis ekzekutorëve e tregojnë qartë se, vrasjet e u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale, e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin e Gardës së Republikës”.