Dibra ka çelur panairin e Edukimit, Trajnimit dhe Punësimit për të njohur të rinjtë e kësaj zone em mundësitë e reja për të hyrë në tregun e punës.

Të rinjtë kanë mundësi të mësojnë për fusha të ndryshme dhe mundësitë që ofrohen. Panairit i janë bashkuar aktorë të sektorit publik dhe privat.

Zëvendëkryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar edhe nga ministrja për të rinjtë vizituan këtë panair ku biseduan me të rinjtë.
Balluku bëri të ditur se tashmë të rinjve u ofrohen më shumë mundësi në sektorin e shërbimeve, duke qenë se Shqipëria po njeh një rritje të numrit të turistëve.

“Kemi pritur në 2023 mbi 10 milionë turistë dhe këtë vit presim që numri i të huajve që vizitojnë vendin tonë të arrijë 13 milionë. Tashmë sfidë mbetet akomodimi dhe rritja e cilësisë së shërbimit “, u shpreh ajo teksa takoi një ndër sipërmarrësit në fushën e agroturizmit.

Balluku shtoi gjithashtu se udhërrëfuesit janë gjithnjë e më të kërkuar në treg.

“Të rinjtë e zonës e kanë me pason promovimin e vendit të tyre dhe ne ndaj duhet ti mbështesim, pasi është një profesion i ri”, u shpreh Balluku.

Ministrja për Rininë, Bora Muzhaqi theksoi se program kombëtar i praktikave të punës nuk zbatohet vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë dhe ka si fokus që të rinjve tu jepet akses në administratën shtetërore.

“U lejon të kenë akses për një periudhë prej 3 muajsh dhe më tej ata punësohen me një kontratë njëvjeçare duke filluar kështu rrugëtimin në administratë. Tani kemi filluar edhe me shoqëritë tregtare dhe OJF për tu krijuar mundësi më shumë të rinjve përtej punës në shtet”, tha Muzhaqi./ata