Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi e cilësoi Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, bashkëorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit, një event mbresëlënës për të gjithë aktorët pjesëmarrës dhe organizatorët.

 

Ajo tha se, vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga mbi 7 milionë vizitorë dhe fluksi i turistëve me rrugë ajrore shënoi një rritje prej 30%. Ky fakt theksoi Ekonomi, tregon se Shqipëria i kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e të gjitha rrugëve hyrëse të turizmit. Por, sipas saj, u shënua rritje edhe në fluksin e turistëve që erdhën nga linja detare dhe rrugore.

 

Ekonomi tha se revolucioni digjital në ofrimin e informacionit dhe të shërbime ishte një tjetër faktor që i dha nxitje turizmit dhe të gjithë zinxhirëve që e shoqërojnë atë. Ajo tha se edhe promovimi virtual përmes faqeve web apo rrjete sociale kanë dhënë ndikim në rritjen e interesit të vizitorëve për Shqipërinë.

 

“Guida lokale është ndërmjetësi më i mirë midis turistit të huaj dhe ekonomisë kombëtare”, theksoi Ekonomi, teksa vlerësoi se sajtet informuese mbi kulinarinë, zhvillimin e aktiviteteve dhe aseteve autentike, janë vlerë e shtuar në komoditetin e turistëve.

 

“Ne sot kemi edhe më shumë nevojë për shkolla  profesionale në hoteleri dhe kulinari, por edhe në fushën digjitale pasi e ardhmje digjitale është e ardhmja dhe e turizmit, i cili rriti nga 8.5 në 8,7% kontributin në PBB, gjatë vitit 2022”, u shpreh Ekonomi.