Kreu i PD, Sali Berisha ndryshe nga herët e tjera me rreth një orë vonesë i është bashkuar protestuesve ditën e sotme. Nuk dihet nëse kjo ka qenë një strategji e kreut të PD apo ka patur një arsye tjetër.

 

Berisha po mban fjalën e tij para qytetarëve, ku ndër të tjera ka thënë se qytetarët që ndodhen para parlamentit po protestojnë për çdo shqiptar, që ka në vetëdijen e tij idealet e lirisë.

 

“Me këtë protestë, në të cilën ju nuk protestoni për disa deputetë të PD-së, nuk protestoni as edhe për PD-në, por ju protestoni sot këtu jo vetëm për 750 mijë zgjedhësit që votuan për opozitën dhe kundër Edi Ramës, por ju protestoni për çdo shqiptar, që ka në vetëdijen e tij idealet e lirisë.

 

Ju jeni këtu për çdo shqiptar dhe protestoni për çdo shqiptar se parlamenti duhet të jetë tempulli i demokracisë dhe jo bunkeri i fjalës së ndaluar.

 

Ju protestoni për çdo shqiptar, i cili beson se aty në parlament, ata që përfaqësojnë opozitën janë për t’ia thënë të vërtetat në sy qeverisë, qoftë edhe qeveria e tyre, por të cilën nuk e kanë votuar për të vjedhur dhe abuzuar dhe shkelmuar fjalën e lirë.

 

Ju protestoni për të gjithë shqiptarët që dëgjojnë për një mori aferash dhe duhet të dinë të vërtetën e vjedhjeve.

 

Ju protestoni për të gjithë ata shqiptarë, që shkëpusin nga vetja bijtë e zemrës dhe i nisin për në dhera të huaj, për në pasiguri.

 

Ju protestoni sot për të gjithë ata shqiptarë, që duhet të besojnë se Shqipëria është një vend i bekuar, se Shqipërinë mund ta bëjnë shqiptarët”-tha Berisha.