Policia e Malit të Zi dha sot detaje lidhur me ngjarjen e tre shtetasve shqiptarë të dhunuar në Mal të Zi, ndërsa theksoi se janë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik.

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, që i referohet asaj malazeze bëhet e ditur se “Policia malazeze ka kryer të gjitha veprimet e para  procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë kanë dhënë deklarime  në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës  shqiptare në Malin e Zi”.

“Në përfundim të veprimeve të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri. Drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjës policie, deri në kufi.  Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth ores 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme”, thuhet në njoftim.

Policia sqaron se “në lidhje me veprimet procedurale dhe identifikimin e autorëve, sipas informacionit të dërguar nga kolegët në Malit e Zi, rezulton se: Policia ka ndërmarrë veprime me qëllim zbardhjen e të  gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë. Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes. Përmes punës operative në terren, efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre”.

Policia bën të ditur se “ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin  ligjor të rastit”.

Mësohet se vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të  kësaj ngjarjeje./ata