Arsimi dhe formimi profesional prodhon forcën punëtore të së nesërmes dhe, për rrjedhojë, luan një rol kyç në rritjen ekonomike, në gjenerimin e punësimit dhe në stabilitetin social.
Promovimi i arsimit dhe formimit profesional, si zgjedhja më e mirë për të rinjtë dhe si rruga më e sigurt dhe e shpejtë e integrimit të tyre në tregun e punës, vijon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë, i konkretizuar me përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve në shkollat profesionale të vendit.
Gjatë vitit 2023 rreth 4800 nxënës kanë marrë një hap të rëndësishëm drejt suksesit të karrierës së tyre duke u regjistruar për herë të parë në arsimin profesional, ose 11 % më shumë regjistrime krahasuar me vitin 2022.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se kjo është një e dhënë që tregon interesin e të rinjve drejt orientimit të profilizuar për të përmbushur dhe zhvilluar karrierën e tyre.
Degët më të kërkuara edhe këtë vit kanë qenë Teknologjia e Informacionit (IT) dhe Hoteleri-Turizëm, ndjekur nga të gjitha drejtimet e tjera teknike.
Rritje të konsiderueshme ka edhe bujqësia, në të gjithë profilet e saj.
Arsimi profesional është rruga e sigurt drejt punësimit real, ndaj dhe qeveria shqiptare po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Projekte madhore si ndërtimi i aeroportit të Vlorës, apo hapja e disa fabrikave që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat në vendin tonë, ashtu si dhe investimet e mëdha në sektorin e hidrokarbureve kërkojnë punonjës të kualifikuar.
Të dhënat tregojnë se mbi 57 % e punëkërkuesve me arsim profesional hyjnë në punë që vitin e parë, pas përfundimit të edukimit.
Në 35 shkollat profesionale në të gjithë vendin janë përfshirë 22 drejtime mësimore, 87 profile profesionale kryesisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, shkenca mekanike, tekstile, etj./ata