Banka e Shqipërisë njoftoi të martën zgjatjen me një vit të marrëveshjes së saj të likuiditetit me Bankën Qendrore Europiane (ECB).

“Në bazë të marrëveshjes ekzistuese të dakordësuar në vitin 2020, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Banka e Shqipërisë ranë dakord për zgjatjen e afatit të saj deri në muajin janar 2025. Kjo linjë i mundëson Bankës së Shqipërisë një linjë likuiditeti në euro në vlerën 400 milionë euro”, bën të ditur BSH.

Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet mbështetës për stabilitetin monetar dhe financiar të Shqipërisë, në kuadër të pasigurive të shtuara, që vijnë nga vazhdimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonominë globale dhe tregjet financiare.

Marrëveshja e mëparshme përfundonte në janar të vitit 2024, ndërsa pas përtëritjes ajo do të jetë e vlefshme deri në janar 2025./ata