Për të ndihmuar sipërmarrjet e reja inovatore në Shqipëri, por edhe zhvillimin apo rritjen e mëtejshme të atyre ekzistuese, Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencia e Startup Albania, hapën thirrjen për bizneset që duan të përfitojnë nga grantet prej 300 milionë lekësh të vëna në dispozicion për vitin 2024 nga Qeveria Shqiptare.

Duke nisur nga 16 shkurti, kushdo që ka një ide inovative për zhvillimin e një startup-i, mund t’i bashkohet garës për mbështetjen financiare, e cila do të zhvillohet në tre faza.

Drejtori i Agjencisë “StartUp Albania” Arian Ymeri në një intervistë në medie, bëri të ditur se ky është fondi më i lartë i alokuar ndonjëherë deri më sot.

“Janë tre faza financimi. Faza e parë është e ajo se kush ka një ide që kërkon ta zhvillojë përfiton 1.5 milionë lekë. Faza e dytë është ai biznes që është i regjistruar, por ende s’ka dalë në treg ose është pranë daljes, i cili do të përfitojë deri në 4.5 milionë lekë. Faza e tretë është një sipërmarrës që ka dalë në treg, por dot të zhvillohet më tej, përtej tregut vendas dhe përfiton deri në 9 milionë lekë”, tha Ymeri.

Fokusi është tek sipërmarrësit në përgjithësi. Çdo lloj moshe apo industrie ka të drejtë të aplikojë.

“Ne duam të kemi një larmi aplikimesh nga çdo fushë. Pritshmëritë tona janë që do të financohen rreth 55-75 kompani dhe individë. Sektorët kryesorë janë turizmi, agroturizmi, energjia, prodhimi, BPO, ICT. Por edhe ide që vijnë nga fusha të tjera kanë po kaq shanse për tu përzgjedhur fitues. Një risi këtë vit është që nëse përbërja e kompanisë është më shumë se 51% janë femra, ajo kompani apo grup individësh do të kenë bonus 5 %”, shprehet Ymeri.

Thirrja është në faqen e ministrisë “sipërmarrja.gov.al”, ku janë dhe dokumentet për tu plotësuar. Aplikimi bëhet tek E-Albania. Pagesat e punonjësve do të njihen deri në 25% të vlerës së grantit. Do të njihen dhe pagesat për ekspertët e mundshëm. Faza e dytë dhe e tretë financohet deri në 90 dhe 85 % të vlerës./ata