Ish-Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral major Jeronim Bazo, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e cilëson një ditë krenarie kombëtare çeljen e aeroportit taktik të NATO-s në Kuçovë.

Sipas tij, ky moment është një kulmim së bashkëpunimit të Shqipërisë me aleancën e NATO-s. Bazo tha se edhe ideja e rijetësimit të industrisë së armatimit vjen në kuadër të qasjes së re të botës perëndimore për të shtuar kapacitet prodhuese në fushën e armatimit.

“E them pa frikë dhe me krenari që është ditë e shënuar, është ditë e gëzuar, sepse është kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë. Lobimi për të arritur këtë ditë, ka nisur prej kohësh dhe ja ku u bë realitet”, tha Bazo.

“Është një ngjarje e shënuar edhe për faktin se këtë vit ne festojmë 15-vjetorin e futjes së Shqipërisë në Aleancën më të suksesshme të historisë moderne. Është pikë kulmore e bashkëpunimit të Shqipërisë me NATO-n dhe vendet partnere”, theksoi Bazo.

“Është arritje e shënuar për Forcat e Armatosura dhe për mbarë vendin. Kjo bazë do të ofrojë një trajnim më të mirë, paketë të plotë të trajnimit bashkë me aleatët dhe po ashtu për të rivitalizuar kthimit të avionëve me krahë fiks, që është krenari e FA. Ky është një start i mirë për t’ia arritur asaj dite”, tha Bazo.

Sipas tij, angazhimi i Shqipërisë në industrinë e armatimit është një përgjigje ndaj nevojave që paraqet situata gjeopolitike.

“Situata gjeopolitike, situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë ka ndryshuar në mënyrë drastike pas agresionit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë prizëm ka një qasje të re për sigurinë dhe mbrojtjen dhe qeveria shqiptare në ndjekje të kësaj jehone, ka menduar të rivitalizojë, apo të afrojë mundësinë e bashkëpunimit edhe me aleatët e tjerë për të sjellë në aktivitet të plotë industrinë ushtarake, çka doli edhe si nevojë nga Samiti Ballkani Perëndimor-Ukrainë i mbajtur në Tiranë”, tha Bazo

“Shqipëria është në vazhdën normale të deklarimeve politike. Vetë pjesëmarrja e Shqipërisë në aleancë tregon përkatësinë e Shqipërisë. Ky është një hap i rëndësishëm që tregon se si ne qëndrojmë fort në Aleancë dhe se si jemi rreshtuar në anën e drejtë të historisë”, përfundoi Bazo./ata