Shefi i mbrojtjes së Gjermanisë ka paralajmëruar se forcat e armatosura të vendit nuk janë në gjendje të mbrojnë mirë vendin në rast të një sulmi të jashtëm.

Duke folur në konferencën e Handelsblatt "Siguria dhe Mbrojtja 2024", gjenerali Carsten Breuer nënvizoi se forcat e armatosura gjermane kanë nevojë për aftësi dhe armë që të bëhen "të aftë për luftë".

"Kjo pyetje bëhet mjaft shpesh, kështu që më lejoni ta them në këtë mënyrë. Nëse do të sulmoheshim tani, a mund të mbrohemi? Po, do ta bënim. Por, a mund ta bëjmë mirë? Jo, ne nuk mundemi", u tha Breuer pjesëmarrësve të konferencës.

Ai potencoi se me kontratat e fundit të prokurimit Forcat e Armatosura gjermane do të jenë në gjendje të mbyllin hendekun midis armëve që kanë në dispozicion dhe aftësive ushtarake që kërkohen.

"Ne do të jemi në gjendje ta tejkalojmë këtë hendek në dy deri në tre vjet, në çdo rast, kjo do të jetë në më pak se pesë, ose tetë vjet", shtoi ai.

Gjermania vendosi të rrisë në masë shpenzimet e mbrojtjes pas luftës Rusi-Ukrainë dhe të krijojë një fond special 100 miliardë euro për të blerë sisteme të avancuara të armëve dhe për modernizimin e forcave të armatosura të vendit.

Si pjesë e planit, qeveria tashmë ka përmbyllur disa kontrata, përfshirë blerjen e avionëve luftarakë amerikanë, helikopterët e transportit "Chinook" dhe sistemin e mbrojtjes së raketave izraelite "Arrow-3"./aa