Izraeli arrestoi dy punonjës të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe dhjetëra palestinezë në Rripin e Gazës.

Palestinezja Fatma Abu Juwayid, në deklaratën e saj për Anadolu tha se ushtarët izraelitë arrestuan 2 personel të UNRWA-së gjatë migrimit të detyruar nga qyteti Khan Younis i Rripit të Gazës në qytetin Rafah.

Ajo tha se dy personel të arrestuar të UNRWA-së nuk kishin lidhje me asnjë grup të rezistencës palestineze. "Nuk e di pse i ndaluan këta të rinj. Ne u ndaluam nga ushtarët izraelitë në pikën e kalimit ushtarak të krijuar midis Khan Younis dhe Rafah dhe këta dy punonjës të UNRWA-së u ndaluan", theksoi Abu Juwayid.

Dhjetëra palestinezë u arrestuan gjatë migrimit të detyruar

Një tjetër dëshmitar okular që foli për Anadolu tha se ushtria izraelite arrestoi dhjetëra të rinj palestinezë të cilët u dëbuan nga Khan Younis pasi tanket hynë në pjesët perëndimore dhe jugore të qytetit.

Raportohet se ushtarët izraelitë, të cilët bastisën një shkollë ku palestinezët e zhvendosur ishin strehuar në Khan Younis, nxorën gratë dhe vajzat nga shkolla, ndërsa i lanë burrat pas.

Dëshmitari okular tha se ushtarët qëlluan me armë ndaj burrave për t'i trembur përpara se t'i çonin në një vend tjetër.

Funksioni i UNRWA-së dhe pretendimet e Izraelit

E financuar nga kontributet vullnetare të shteteve anëtare të OKB-së, UNRWA ka qenë organizata kryesore që ofron ndihma humanitare si ushqim, shëndetësi, arsim dhe strehim për refugjatët palestinezë që kur filloi aktivitetet e saj në vitin 1950.

Sot, agjencia ofron mbështetje për 5.9 milionë refugjatë palestinezë. Ndërsa UNRWA është përpjekur të shërojë plagët e palestinezëve për më shumë se 73 vjet, vazhdimisht janë goditur objektet e saj nga Izraeli dhe janë shkatërruar tonelata me ushqime dhe ilaçe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka kërkuar hetim urgjent mbi pretendimet e autoriteteve izraelite se personeli i UNRWA-së ishte i përfshirë në sulmet e 7 tetorit. UNRWA gjithashtu nisi një hetim mbi akuzat e Izraelit.

Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Australia, Britania e Madhe, Holanda, SHBA-ja, Franca, Austria, Japonia dhe Estonia njoftuan se vendosën të pezullojnë përkohësisht mbështetjen e tyre financiare për UNRWA-në.

Nga ana tjetër, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për UNRWA-në./AA