Qeveria miratoi sot mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), është në varësi të ministrit përgjegjës për financat. AIF-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.

Misioni i AIF-së është të parandalojë pastrimin e parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, duke bashkëpunuar me institucionet dhe organet kompetente kombëtare e ndërkombëtare për këtë qëllim.

Në zbatim të ligjit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, AIF-ja:ushtron funksionet e autoritetit përgjegjës; funksionon si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Dy janë fushat përgjegjësie të saj, parandalimin e pastrimit të parave dhe produkteve që burojnë nga veprat penale dhe parandalimin e financimit të terrorizmit.

AIF-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror. Struktura dhe organika e AIF-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

AIF-ja ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. AIF-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili ka këto detyra dhe përgjegjësi: Drejton AIF-në dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët, brenda dhe jashtë vendit; Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me institucione brenda vendit dhe me agjenci homologe të huaja apo organizma të tjerë jashtë vendit, që iu nënshtrohen detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit, në funksion të ushtrimit të detyrave e të funksioneve të saj; Raporton me shkrim drejtpërdrejt te ministri përgjegjës për financat dhe Kryeministri, sa herë që i kërkohet, por jo më pak se dy herë në vit për veprimtarinë e AIF-së dhe problematikat e hasura lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; Raporton sa herë që i kërkohet në komisionet parlamentare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për veprimtarinë e AIF-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; Informon në mënyrë periodike, me shkrim, për veprimtarinë e AIF-së Komitetin e Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave.

Gjithashtu organizon dhe drejton analiza periodike të aktivitetit të AIF-së; Krijon grupe pune për çështje specifike të punës së AIF-së dhe monitoron ecurinë e përmbushjes së qëllimit të tyre; Organizon punën për hartimin dhe publikimin në afat të raportit vjetor; Miraton programe të kualifikimit profesional të nëpunësve të AIF-së; Drejton dhe orienton punën e grupit teknik ndërinstitucional për parandalimin e pastrimit të parave, në kuadër të Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave; Bashkërendon punën për mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve të subjekteve të ligjit sipas dispozitave ligjore në fuqi; Merr vendim për dhënien e masave administrative për kundërvajtjet administrative të kryera nga subjektet e legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;

Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.

Sipas këtij vendimi, ngarkohet Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për hartimin dhe paraqitjen e propozimit për miratimin e rregullores për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e nëpunësve e të punonjësve administrativë të AIF-së.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ata