30 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të përkthimit.
Kjo ditë përkon me festën e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës i cili konsiderohet mbrojtës i përkthyesve.
Në kuadër të Ditës Botërore të Përkthimit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit këtë të hënë zhvilloi aktivitetin “Përkthimi, urë lidhëse ndërmjet kulturave”, ku morën pjesë përkthyes e shkrimtarë.
I pranishëm ishte dhe kryetari i shoqatës së përkthimit në vendin tonë Rexhep Hida, i cili u shpreh se pavarësisht ndotjes së gjuhës shqipe, shtëpitë botuese nuk e kanë lejuar htrembërimin e saj.
“Gjatë këtyre 30 viteve mund të them se janë vërejtur dy prirje, një prirje për ta ndotur gjuhën shqipe me fjalë të huaja të panevojshme dhe një prirje tjetër për ta mbrojtur atë me vendosmëri të paprekur. Shtëpitë botuese nuk e kanë lejuar që në fillim shtrembërimin e gjuhës shqipe apo ndotjen me fjalë të huaja. Nuk ka qenë nevoja për ndonjë kontroll të veçantë,”-u shpreh Hida.
Ndërsa përkthyesit e veprave të ndryshme u shprehën se gjuha luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombeve.
“As fjalë për fjalë, as lirisht por saktësisht. Ti do ta përkthesh atë si duhet në shqip atë që ka thënë ai. Ti duhet të jesh besnik, pa u kuptuar që je besnikë,” –u shpreh shkrimtarja Diana Çuli.
Dita Ndërkombëtare e Përkthimit është menduar si një mundësi për t’i bërë homazhe punës së profesionistëve të gjuhës, e cila luan një rol të rëndësishëm në lehtësimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke kontribuar në zhvillimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë botërore./EuroNews