Koleksionit Retro dhe Muzeut RON, i shtohet dhe një makinë e restauruar me shumë kujdes nga mjeshtri Medi Halilaj
 
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se, “mjeshtri Medi Halilaj, restaurator i shquar i Komunitetit Retro, vjen me një tjetër krijim të mrekullueshëm nga duart e tij të arta”.
 
Gonxhja tha se, këtë herë, ai ka rikthyer në jetë një Fiat Polski 125 P nga viti 1987 dhe e ka përshtatur atë si një mjet të Policisë Rrugore.
 
Kjo makinë e restauruar me kujdes të veçantë dhe dashuri për detajet, nuk është e para me këtë tematikë, por me siguri është një vlerë e shtuar për Koleksionin Retro dhe Muzeun RON.
 
“Jemi të befasuar nga aftësia e tij për të risjellë në jetë pjesë nga e kaluara dhe për të mbajtur gjallë kujtimet e një kohe tjetër”, u shpreh Gonxhja, teksa falenderoi Mediun dhe ftoi të apasionuarit të shfletojnë galerinë Retro për të parë çdo detaj të kësaj pune të mrekullueshme të restaurimit, si dhe automjetet e tjera të restaururara me të njëjtën tematikë./ata