Festa e Vitit te Ri ka gjallëruar fshatin e Shishtavecit në Kukës. 2024 është pritur ndryshe me valle tradicionale.
Emigrantët ndonëse në numër të pakët këtë vit janë kthyer në vendlindje për të festuar me familjarët e tyre duke i dhënë më shumë jetë fshatit.
Të rinjtë në ditën e parë të vitit të ri janë mbledhur në qendër të fshatit për të hedhur valle tradicionale duke i uruar njëri-tjetrit një vit sa më të mbarë.
Gëzimit të emigranteve i janë bashkuar edhe banorët e fshatit ndërsa vajzat dhe gratë kanë veshur rrobat tradicionale të zonës.
Banorët dhe emigrantet shprehen se tashmë është bërë traditë që festat sidomos ajo e verës dhe Vitit të Ri në fshat të organizohen si shenjë mikpritjeje për emigrantët të cilët i japin jetë fshatit të banuar nga të moshuarit.
“Shishtaveci ka kënaqësinë më të madhe… Populli është emigrant, të rinjtë vijnë e festojnë Vitin e Rid he Shëngjergjin në Shishtavec se e ka si traditë. Faleminderit të gjithëve që kanë ardhur në një fshat turistik. Këta pesë ditë vijnë por më bëhet zemra mal. Ju faleminderit që vini që na merrni dhe na respektoni. Kur vijnë emigrantët gjallërohet fshati. Ky fshat ka qenë gjithmonë fshat që burrat shkojnë në kurber. Kur vinte dita e Shëngjergjit vinin anembanë botës. Nga Londra vijnë për tre orë dhe festojnë me shokë, dashamirë farefis dhe popullin shqiptar”, tha Ali Rama.
Festa në qendrën e fshatit zgjat deri në orët e vona ndërsa i janë bashkuar edhe banorë të fshatrave përreth por edhe zonave kufitare me Kosovën.