Shkolla e Magjistraturës, përmes një njoftimi për mediet, sqaroi se heqja e kriterit të mesatares 8 për kandidimin në shkollën e Magjistraturës, nuk do të ketë asnjë ndikim në përzgjedhjen e kandidatëve që zotërojnë njohuritë e dëshiruara.
“Ndryshimet e fundit në Rregulloren e Veprimtarisë së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, të njoftuara për publikun, përpara nisjes së procesit të konkurrimit në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2024-2025 përbëjnë një tërësi normash që ndërveprojnë ndërmjet e tyre dhe janë pjesë integrale e synimit tonë për të përmirësuar sistemet e programeve që zhvillohen në Shkollë, në këtë rast atë të formimit fillestar”, thuhet në njoftimin e Shkollës së Magjistraturës.
Njoftimi sqaron se ndryshimet e pritshme në sistemin tërësor të trajnimit në shkollë, që përfshijnë gjithë procesin zinxhir, prej rekrutimit, deri në kurikulat e lëndës që studiohet, janë konkluzion i punës së një procesi dyvjeçar.
“Kjo analizë ka sjellë si kërkesë përmirësim të procesit të rekrutimit në Shkollë, përmirësim të Programit të Formimit Fillestar dhe përmirësim të Programit të Formimit Vazhdues të magjistratëve në detyrë. Shkolla është duke punuar paralelisht për ndryshime në të tre këta komponentë”, bëhet me dije në njoftim.
Njoftimi rendit edhe arsyet e ndryshimeve të fundit, duke nisur me përmirësimin e procesit të konkurrimit nëpërmjet rishikimit të kritereve të vendosura në rregulloren e shkollës.
Kështu, u hoq kriteri që konkurrentët të kishin mesatare mbi tetë të lëndëve kryesore dhe atyre të posaçme e të thelluara dhe, u la në fuqi vetëm kriteri që konkurrentët të kenë mesatare mbi tetë të të gjitha lëndëve në programin e studimit për drejtësi që ata kanë përfunduar. “Ky ndryshim konsiderohet mjaft pozitiv në funksion të aksesit të barabartë për të marrë pjesë në konkurrim dhe karakterit objektiv që duhet të mbartë procesi i rekrutimit në shkollë”, vijon njoftimi
Programet e universiteteve, shqiptare dhe të huaja, që paraqisnin kandidatët kur regjistroheshin, për shkak të ndryshimeve dhe modeleve të ndryshme ku janë bazuar përgjatë këtyre viteve, nuk kishin uniformitet të lëndëve, të tillë që ta bënin të mundur përcaktimin objektiv të atyre lëndëve që do të konsideroheshin si lëndë kryesore, të posaçme e të thelluara.
Sipas njoftimit, jo rrallëherë kandidatët janë vendosur në disproporcion me njëri-tjetrin për shkak të numrit të lëndëve me zgjedhje që ata kanë zhvilluar në programin e masterit.
“Për këtë arsye, ky kriter u vlerësua se mund të cenonte të drejtën e barabartë për të konkurruar në shkollë. Në funksion të standardit më të lartë që duhet të ofrojnë normat që rregullojnë provimin hyrës në shkollë, ato duhet të jenë të qarta dhe transparente, ky kriter duhej të hiqej”, vijon njoftimi.
“Heqja e këtij kriteri nuk cenon cilësinë e kandidatëve për magjistratë, e rrjedhimisht, të magjistratëve që do të hyjnë në sistem”, thuhet në njoftim.
Së dyti, Shkolla e Magjistraturës rendit si arsye përmirësimin e procesit të konkurrimit nëpërmjet rishikimit të aftësive dhe kompetencave që do të testohen dhe vlerësohen në fazën e parë dhe të dytë të provimit.
“Kemi rritur mundësinë për të vlerësuar aftësitë e konkurrentëve për të analizuar, argumentuar dhe zgjidhur raste praktike. Konkretisht, provimi mbi lëndët e përcaktuara në Rregullore do të ketë pyetje mbi koncepte të rëndësishme të së drejtës, krahasime mes koncepteve apo instituteve të ndryshme të së drejtës, pyetje argumentuese dhe vendosje në situata praktike për të vlerësuar aftësitë analitike të konkurrentit”, thuhet në njoftim.
Në pjesën e rasteve praktike, është shtuar një rast praktik në të drejtën administrative, materiale dhe procedurale, duke e çuar kështu në 3 numrin e rasteve praktike mbi të cilat konkurrentët do të testohen, nga 2 që kanë qenë deri para ndryshimeve (një rast praktik në të drejtën civile, materiale dhe procedurale, dhe një rast praktik në të drejtën penale, materiale dhe procedurale).
“Bazuar në këtë aktualitet të ri, që provimi i pranimit po fokusohet edhe më tej drejt aftësive në fushat kryesore të së drejtës, heqja e kriterit të mesatares së lëndëve kryesore dhe atyre të posaçme e të thelluara qartazi nuk do të ketë asnjë ndikim në përzgjedhjen e kandidatëve që zotërojnë cilësitë/njohuritë e dëshiruara. Së treti, përmirësimi i procesit të konkurrimit nëpërmjet përdorimit të platformës elektronike të quajtur Sistemi i Menaxhimit të Veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës (SMVSHM)”, deklarohet në njoftim./ata