Promovimi i arsimit dhe formimit profesional, si zgjedhja më e mirë për të rinjtë dhe si rruga më e sigurt dhe e shpejtë e integrimit të tyre në tregun e punës, vijon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë, i konkretizuar me përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve në shkollat profesionale të vendit.
Mes Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit dhe Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me synim rritjen e angazhimit të tyre, si anëtarë të përhershëm të bordeve të shkollave.
Marrëveshja u nënshkrua nga krerët e dy institucioneve, Klevis Hysa si dhe Aldrin Dalipi.
Kreu i AKPA, Klevis Hysa shprehet se po synohet energjizimi i bordeve të Shkollave dhe Qendrave Profesionale, për të kontribuar aktivisht, në ndërlidhjen me tregun e punës dhe mbështetje me investime konkrete.
Kreu i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, Aldrin Dalipi bëri të ditur se marrëveshja është një hap i rëndësishëm për të mbështetur institucionet e arsimit dhe formimit profesional në nivel lokal.
“Finalizimi i marrëveshjes do të ndihmojë në krijimin e urave lidhëse ndërmjet nxënësve, institucioneve dhe biznesit. Ditët e sotme është shumë e rëndësishme të inkurajojmë nxënësit dhe kursantët për tregun e shtuar te punës dhe të sigurojmë, që ata të kenë mundësi të këshillimit për karrierë, punësim, praktika profesionale dhe eksperience me shkollat e rajoneve europiane”, tha Dalipi.
Gjatë vitit 2023 rreth 4800 nxënës kanë marrë një hap të rëndësishëm drejt suksesit të karrierës së tyre duke u regjistruar për herë të parë në arsimin profesional, ose 11 % më shumë regjistrime krahasuar me vitin 2022./ata