Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR, ka ngritur Qendrën Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke në Kukës të Shqipërisë.

Në një njoftim nga zyra e TIKA-s në Tiranë thuhet se qendra është hapur me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri dhe 100-vjetorit të Republikës Turke.

Në ceremoninë e inaugurimit të qendrës ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj mësues, nxënës dhe prindër.

"Qendra multifunksionale rinore e themeluar në kuadër të Qendrës Kulturore ‘Hasan Prishtina’ u mundëson të rinjve të trajnohen dhe të zhvillojnë aktivitete në shumë fusha si mësimi i gjuhës turke, muzikë, pikturë dhe kërcim. Qendra ka edhe një bibliotekë me libra shqip dhe turqisht", thuhet në njoftim.

Çevik, nga ana e tij, ka theksuar në fjalën e tij se shqiptarët dhe turqit kanë pasur përvojën e të jetuarit së bashku në shekuj.

“Besoj se kjo qendër në Kukës do të kontribuojë për paqen dhe kulturën e bashkëjetesës në Ballkan dhe Shqipëri, ku jetojnë besime dhe elementë të ndryshëm etnikë", është shprehur Çevik.

Ambasadori Atay, duke folur në ceremoninë e hapjes, tha se TIKA ofron shërbime të rëndësishme në fushën e kulturës me qendra të tilla dhe shtoi se një nga synimet e tyre si ambasadë është të mbështesin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e hapjes, Halilaj u ndal në ndikimin e qendrës në fjalë në jetën e të rinjve dhe falënderoi Türkiyen dhe TIKA-n për ngritjen e qendrës rinore.

Nga TIKA është mundësuar rikonstruksioni, mobilimi dhe pajisja me vegla muzikore, kompjuterë, libra dhe sisteme zëri. Qendra do të jetë pjesë e qendrës kulturore të Bashkisë së Kukësit.

Gjatë vizitës në Kukës, nënkryetari i TIKA-s, Çevik, ambasadori Atay dhe zyrtarët e tjerë u takuan edhe me kryebashkiakun e Kukësit, Halilaj.

TIKA ka realizuar qindra projekte në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, si në shëndetësi, arsim, bujqësi, trashëgiminë kulturore dhe në sektorë të tjerë./aa