Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se planifikon të takojë presidentin kinez, Xi Jinping për të diskutuar propozimin për armëpushim që synon dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Sipas Zelenskyt, një takim i tillë do të ishte “i rëndësishëm për sigurinë në botë”.
Duke folur në përvjetorin e parë të luftës së Rusisë në Ukrainë, Zelensky ka mirëpritur disa elemente të propozimit kinez për armëpushim, mirëpo ka thënë se nuk është plan konkret.
Plani 12-pikësh i Kinës për “zgjidhje politike” nuk i bën thirrje Rusisë që të largohet nga Ukraina.
Propozimi është pritur me skepticizëm nga aleatët e Ukrainës.
Zelensky u ka thënë gazetarëve më 24 shkurt se nuk është gjë e keqe që Kina ka folur për Ukrainën.