NATO njoftoi se ka dërguar më shumë se 130 ushtarë përforcues për Forcën Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR).

 

Në një deklaratë me shkrim të NATO-s, thuhet se 130 ushtarë shtesë të dërguar nga Rumania kanë mbërritur dje në Kosovë, në vazhdën e rritjes së tensioneve në rajon pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator.

 

Në deklaratë thuhet se këto trupa janë përgatitur me kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe janë miratuar nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut.

 

NATO ka udhëhequr misionin paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999, në përputhje me autorizimin sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga më shumë se 4.500 ushtarë, me kontribute nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s./AA