Irani dënoi sulmet ajrore të forcave të SHBA-së ndaj objektivave në Irak, Siri dhe Jemen duke i cilësuar ato si "gabim strategjik që nuk do të shërbejë për asnjë qëllim përveç përshkallëzimit të tensioneve në rajon".

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani në një deklaratë me shkrim tha se vendi i tij dënon sulmet të cilat i cilëson si shkelje e hapur të ligjit ndërkombëtar.

Ai theksoi se sulmet i cilëson si "një tjetër aventurë dhe gabim strategjik" të administratës amerikane dhe se ato nuk do të shërbejnë për asnjë qëllim përveçse përshkallëzimit të tensioneve dhe destabilitetit në rajon. Kanaani pretendon se SHBA-ja më këto sulme i shërben vetëm objektivave të Izraelit i cili vazhdon sulmet e tij në Gaza.

Duke paralajmëruar kundër rrezikut të përhapjes së luftës dhe konfliktit në të gjithë rajonin dhe që vazhdimi i sulmeve mund të përbëjë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, Kanaani i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për parandalimin e sulmeve në fjalë.

Milicët e mbështetur nga Irani në Siri dhe Irak dhe Huthit në Jemen filluan të kryejnë sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave të SHBA-së dhe Izraelit si reagim ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza.

Milicët me mbështetje iraniane në Irak goditën bazën ushtarake amerikane në kufirin Jordan-Siri me dronë kamikazë më 28 janar dhe në sulm humbën jetën 3 ushtarë amerikanë dhe më shumë se 40 të tjerë u plagosën.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se në përgjigje të sulmit të kryer më 28 janar ndaj bazës së tyre, mbrëmë ka kryer sulme ajrore kundër objektivave të Ushtrisë Gardës Revolucionare të Iranit dhe forcave milice të lidhura me të në Irak dhe Siri.

Forcat e SHBA-së gjithashtu njoftuan se kanë goditur objektiva edhe në Jemen./aa