Bashkë me tërheqjen e ushtrisë izraelite nga disa zona në veri të Rripit të Gazës, filloi të shfaqet edhe shkatërrimi që ka lënë pas.
Në këto zona në veri të Gazës paraqitet shkatërrimi i madh që është krijuar në vendbanime, përfshirë shtëpitë, ndërtesat, kullat, infrastrukturën dhe objektet tregtare.
Vëmendjen e tërheqin edhe municionet e zbrazëta dhe pjesët e automjeteve të shkatërruara izraelite të shpërndara në rrugë.
Palestinezët që janë kthyer në lagjen Sheikh Radwan në qytetin e Gazës dhe në rajonin Saftawi në veri për të parë shtëpitë e tyre pas tërheqjes së ushtarëve izraelitë, janë tmerruar nga pamjet.
- "Për shkak të përmasave të mëdha të shkatërrimit nuk mundëm të njohim as rrugët, madje as vendin e shtëpive"
Palestinezët që kanë folur për gazetarin e AA-së, shpjeguan se qindra shtëpi në rajon janë shkatërruar dhe shembur plotësisht, ndërsa një pjesë e tyre janë bërë të pabanueshme.
Palestinezi Abdulhalim Salim tha: "Pas tërheqjes së ushtrisë shkova të shoh shtëpinë time. Por, nuk i gjeta as shtëpinë dhe as vendin. Shtëpia ime dhe të gjitha shtëpitë kishin humbur".
Duke vënë theksin se shkatërrimi i shkaktuar e ka bërë të panjohur rajonin, Salim u shpreh: "Për shkak të përmasave të mëdha të shkatërrimit dhe shtëpive të djegura nuk mundëm të njohim as rrugët. Madje, nuk mundëm të gjenim as vendin e shtëpive. Shkatërrimi është i madh dhe pamja e tmerrshme".
Ushtria izraelite më 27 tetor 2023 filloi sulmet tokësore ndaj shumë lagjeve dhe rajoneve në veri në qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite që nga dhjetori 2023 filloi tërheqjen graduale nga rajonet në veri të qytetit të Gazës dhe u tërhoq pjesërisht nga zonat dhe lagjet në qytetin e Gazës në fillim të janarit. Por, edhe dje ajo njoftoi se është tërhequr nga pjesa veriperëndimore e qytetit të Gazës dhe nga disa rajone në veri të Rripit të Gazës në të cilat ishte pozicionuar që nga 27 tetori 2023 e deri më tani./aa