Për të kryer shkëmbimin e pengjeve me Izraelin, Hamasi ka vendosur kushtet që Izraeli të ndalë sulmet në Rripin e Gazës, të sigurohet hyrja e ndihmave për Gazën dhe të lirohen të burgosurit palestinezë nga burgjet izraelite.

Në një postim nga llogaria e Hamasit në Telegram thuhet se anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Khalil al-Hayya dha një deklaratë për televizionin Al-Jazeera me qendër në Katar lidhur me lirimin e pengjeve izraelite.

"Rikthimi i pengjeve izraelite (në vendet e tyre) ka tre kosto. E para, sigurimin e ndihmave për popullin tonë dhe kthimin në normalitet të jetës. E dyta, ndalimi i sulmeve (kundër Rripit të Gazës). E treta, një shkëmbim i vërtetë i pengjeve i cili do të sigurojë lirimin e 10 mijë të burgosurve tanë në burgjet izraelite", tha Al-Hayya.

Duke vënë në dukje se Izraeli ka refuzuar të tërhiqet nga Rripi i Gazës ose një pjesë e tij, se nuk ka lejuar rikthimin e atyre që janë zhvendosur dhe se nuk ka dhënë ndonjë shenjë miratimi për përfundimin e sulmeve, Al-Hayya tha se:

"Deri më tani, (Izraeli) nuk ka dhënë garanci se do të mbërrijnë ndihma të mjaftueshme, se spitalet, furrat e bukës dhe infrastruktura do të riparohen. Izraeli nuk ka dhënë as miratim të hapur dhe të qartë për strehimin në tenda. Pra, për cilën çështje do të biem dakord? Izraeli përpiqet të ndryshojë të vërtetën duke pretenduar se kërkesat e Hamasit janë të mëdha ose duke thënë gjëra të tjera".

Al-Hayya thekson se Izraeli përpiqet të zgjasë luftën me "gënjeshtra dhe shpresa të paarritshme". Sipas tij, Netanyahu nuk është serioz për arritjen e një marrëveshjeje e cila do t'u japë fund sulmeve, që do të sigurojë dërgimin e ndihmës për popullin e Palestinës dhe të largojë Izraelin nga Gaza.

Më 13 shkurt një takim u mbajt në kryeqytetin egjiptian Kajro, mes qeverisë së Tel Avivit dhe Hamasit në kuadër të një marrëveshjeje të re për shkëmbimin e pengjeve. Në takimin ku krahas Izraelit morën pjesë edhe zyrtarë të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit nuk u arrit asnjë rezultat.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pas këtij takimi refuzoi të dërgojë delegacion në Kajro për bisedimet e negociatave mbi shkëmbimin e pengjeve në të cilin do të merrnin pjesë zyrtarë të nivelit të ulët.

Në një deklaratë më 17 shkurt, Netanyahu tha se "Kërkesat e Hamasit deri tani tregojnë vetëm humbjen e Izraelit. Në fakt, ne nuk mund t'i pranojmë këto kushte, por ne mund të bëjmë përparim kur Hamasi të bëjë hap prapa nga këto kërkesa imagjinare"./aa