Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike, ka denoncuar këtë të shtunë kryetarin e Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj, duke e akuzuar atë për fshehje të pasurive dhe përfitimin e tenderave në mënyrë të paligjshme.
Zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, thekson se duke shfrytëzuar pozitën si Kryetar Bashkie, Zotkaj ka përfituar të ardhura dhe favore të ndryshme, drejtpërdrejtë apo tërthorazi, personale apo në favor të shoqërisë ABG, ku është aksioner. Sipas saj, fëmijët e kryebashkiakut rezultojnë pronarë në 3 shoqëri tregtare dhe më njërën prej të cilave implementon kontrata publike.
Deklarata e plotë:
Adriatik Zotaj, i kthyer në vete-zot-vete-shkop i Skraparit, është ilustrimi i pushtetarit lokal socialist të rilindur në qeverinë e Edi Ramës. Ai është anëtar i Kryesisë dhe Asamblesë së përgjithshme të Partisë socialiste, njëherësh kryetari i bashkisë Poliçan për 4 mandate nga 2004 e këtej. Shkelje, aktet korruptive, abuzimet e tij me pushtetin, më shumë se të një qeveritari modern i ngjajnë një pashai osman.
Në 2015 ILDKPKI e kallëzoi penalisht Adriatik Zotkaj për:
-fshehje të pasurive në total mbi 6000 m2 truall,
-Fshehje të automjeteve përfshirë dhe skavator me vlerë 50 mijë euro
– Mungesë burimesh të ligjshme financiare për shlyerjen e menjëhershme të kredive mbi 100 mijë euro
– fshehje të ardhurash të përfituara nga lidhja e kontratës me një kompani të telefonisë, për dhënie me qira të një sip. prej 1100 m2.
– Fshehje llogarie në një bankë të nivelit të dytë.
– Deklarim të rremë lidhur me largimin si administrator i shoqërisë ABG shpk, gjë që nuk e ka bërë.
– Mosdeklarim të shitjes së 65 % të aksioneve të shoqërisë ABG, në vitet 2008-2009.
– Fshehje, deklarim i rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare për shumën 1.000.000 euro.
Përveç këtyre, me veprimet e kryera, duke shfrytëzuar pozitën si Kryetar Bashkie ka përfituar, të ardhura dhe favore të ndryshme, drejtpërdrejtë apo tërthorazi, personale apo në favor të shoqërisë ABG, ku është aksioner.