Gjatë vitit 2023 Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) i ka kërkuar Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP) informacion për statusin e 16 mijë hektarëve tokë për të cilën kishte kërkesa për që lidhen me projekte investimesh strategjike.

Bazuar në ligjin kontravers për ‘investimet strategjike’ qeveria ka ndjekur praktikën e dhënies së pronave publike me vlerën simbolike 1 euro ose në këmbim të çmimeve shumë herë më të ulëta sesa ato të tregut për biznesmenët që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.

 

Në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend, ATP thotë se janë 44 shkresa dërguar AIDA-s, nëpërmjet të cilave, “është dhënë informacion mbi zona të ndryshme ku janë propozuar investime nga sipërmarrje në sektorin e turizmit, energjisë, ekonomisë nëse ka vendime me objekt njohjen, kthimin apo kompensimin e pronave”.

ATP, i tha BIRN-it, se bëhej fjalë për 16 mijë hektarë tokë, që përfshihen në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër dhe Korçë. Në një përllogaritje të përafërt me çmimin referencë të shitjes së tokës bujqësore kjo tokë vlen më shumë se 1 miliard euro.

ATP refuzoi të vinte në dispozicion shkresat institucionale me informacione të detajuara për vendndodhjen e këtyre pronave dhe statusin e tyre, por informoi se në 14 raste nga 44 të kërkuara, “nuk rezulton të ketë vendime për njohje, kthim apo kompensim prone për zonën/pronën objekt i kërkesës së AIDA”.

Që nga miratimi i ligjit për Investimet Strategjike kërkesat e AIDA-s për prona që kërkohen të vihen në dispozicion të këtyre investime kanë ardhur duke u rritur sipas të dhënave të ATP-së dhe shënojnë kulmin në vitin 2023, që ishte parashikuar si viti i fundit i efekteve të këtij ligji.

Në total nga viti 2016 deri në vitin 2024 AIDA i ka dërguar ATP-së 105 kërkesa për informacion mbi statusin pronësor të pronave ku investitorë të ndryshëm kërkojnë të investojnë.

Edhe pse zgjatja e afatit të ligjit deri në fund të vitit 2024 nuk ka hyrë akoma në fuqi, pas miratimit në seancën e 4 prillit, agjencia ka kërkuar informacion për 13 prona të ndryshme vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti kur ajo nuk mund të pranonte kërkesa për statusin e investitorit strategjik për shkak të përfundimit të afatit ligjor për këtë procedurë.

Të dhënat e cunguara që ofron ATP-së janë të vetmet të dhëna zyrtare publike që tregojnë se sa kërkesa ka për të vendosur pronën publike në funksion të ndërtimeve, kryesisht në turizëm, nëpërmjet zbatimit të një ligji, që kritikohet se favorizon një grup oligarkësh pranë qeverisë.

Qeveria shqiptare ka pranuar më herët se nuk disponon një inventar për pasuritë publike që janë dhënë ose janë parashikuar të vihen në dispozicion për investimeve strategjike pavarësisht se ligji e detyron një gjë të tillë.

Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera publike./BIRN