Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka ndarë në rrjete sociale fragment nga takimi i tij i djeshëm me strukturat e PD-së së Njësisë 2 dhe 8 në kryeqytet.
“SPAK është e vetmja shpresë e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, ndaj duan ta mbysin”, është shprehur kryetari i PD-së, Basha.
“Nuk do t’ia dalin! Dhe kjo jo vetëm për shkak të mbështetjes që Partia Demokratike i jep pa kushte SPAK-ut dhe BKH-së, por edhe sepse, në këtë betejë kemi në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi në krah Bashkimin Europian, të cilat na mirëpresin. Por vetëm me standartet dhe parimet, mbi të cilat kanë ndërtuar shoqëritë e tyre”, ka vijuar më tej kreu i PD.
Basha gjithashtu tha se “Partia Demokratike ka përfunduar hartimin e programit dhe po e konsulton atë me miqtë dhe partnerët perëndimorë. Ky program së shpejti do t’ju paraqitet shqiptarëve. Dhe do të jetë me ta. Me pronarët dhe me të përndjekurit, me rininë dhe fermerët shqiptarë, me sipërmarrjen shqiptare dhe me punonjësit e shëndetësisë, me punonjësit e arsimit dhe me pensionistët”./ata