Fatih Zingal, kreu i partisë DAVA e cila shihet si një degë e partisë në pushtet të Turqisë AKP në Gjermani, tha se procedurat për themelimin zyrtar të partisë po përparojnë me shpejtësi.

Ai madje shprehu interesimin e tij për pjesëmarrjen eventuale të ish-futbollistit të kombëtares gjermane me origjinë turke, Mesut Ozil, i cili në të kaluarën shkaktoi reagime të forta për shkak të marrëdhënies miqësore me Recep Tayyip Erdogan.

Që partia të mund të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane të qershorit, deri më 18 mars duhet të ketë dorëzuar 4000 firma në Komisionin Federal të Zgjedhjeve.

Sipas gazetës Bild, kreu i DAVA-s, Fatih Zingal thotë se “telefoni është në zjarr” dhe se projekti “po merr shumë mbështetje, duke përfshirë edhe mbështetës shumë të shquar”.

Ka personazhe të famshëm që mund të përdoren për të identifikuar problemet në shoqëri, vëren Zingal, duke përmendur si shembull 35-vjeçarin Mesut Ozil, një ish-futbollist i Werder Bremenit, Real Madridit, Arsenalit dhe kombëtares gjermane, ndër të tjera.

“Ai është një djalë i mirë, ne mendojmë se është i mrekullueshëm. Ai bëri shumë për kombëtaren gjermane. Një futbollist i madh, një figurë e madhe në jetën publike”, vijon ai dhe shton se “sigurisht që do të ishim shumë të lumtur nëse Ozil do të reklamonte DAVA-n dhe do të tregonte se cili është programi i saj”.

Mesut Ozil ka lindur në Gjermani nga prindër turq dhe në moshën 18-vjeçare mori nënshtetësinë gjermane për të vazhduar karrierën e tij futbollistike në kombëtare. Ai luajti gjithsej në 92 ndeshje me kombëtaren, me të cilën u shpall kampion bote në vitin 2014 në Brazil.

Në vitin 2018, ai u largua nga kombëtarja pas zhurmës së shkaktuar nga postimi i fotove të tij me presidentin turk, Erdogan.

Më pas ai akuzoi Federatën Gjermane të Futbollit, e cila kritikoi sjelljen e tij, për racizëm.

Nga ana e tij, Tajip Erdogan e kishte mbështetur më pas lojtarin duke thënë: “I puth sytë. Unë e mbështes Mesut Ozilin për deklaratat e tij.” /tesheshi.com/