Kuvendi pritet të mblidhet këtë të hënë në ora 17:00. Kjo seancë vjen  pas “javës së gjelbër”, ku ligjvënësit kanë qenë në takime në zonat e tyre zgjedhore. Në rend të ditës është vetëm një pikë, ajo që lidhet me diskutimin e problematikave që ligjvënësit kanë evidentuar në zonat e tyre elektorale gjatë javës së shkuar.

Në këtë seancë, do të mungojnë 19 deputetë të grupimeve opozitare, të cilët janë pezulluar për shkak të bllokimit të seancave të shkuara në Kuvend apo në komisionet parlamentare.

Paralelisht me zhvillimet brenda sallës së seancës plenare, grupi i “Rithemelimit” dhe grupi i deputetëve që mbështesin kreun e grupit parlamentarë Demokratë, Gamzent Bardhin, pritet të mbajnë protestë në oborrin e Kuvendit.

Grupi i “Rithemelimit”, në mungesë të Berishës në “arrest shtëpie”, po udhëhiqet nga Flamur Noka. Ai ka njoftuar se protesta do të nisë që në 16:30. Protestat janë një përshkallëzim, sipas Nokës, i aksionit opozitar, i cili do të vijojë edhe me bllokim brenda seancës./ata