Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u shpreh sot se sulmi i unifikuar grek për çështjen “Beleri”, ndaj një gjyqtareje shqiptare, është i pashembullt.

Në një reagim në rrjetet sociale, Braçe reagoi lidhur me shkrimet e publikuara në disa portale greke ku pretendohet se gjyqtarja e çështjes “Beleri”, Irena Gjoka, ka qenë dikur në Greqi me letra të parregullta.

Sipas tij, “sulmi i unifikuar grek, ndaj një gjyqtareje shqiptare, mbart edhe mendësinë, modelin, identitetin e një shqiptari – Sali Berishës dhe grupit të tij, të cilët i janë ngjitur monizmit grek në çështjen ‘Beleri'”.

“Fredi Beleri është më shumë se sa një shtetas shqiptar i dyshuar për veprën penale të blerjes së votave e me gjasë fitimit të pamerituar, përmes këtij akti penal të një mandati bashkie. Fredi Beleri është më shumë se sa një shtetas shqiptar i dënuar në Greqi, nga Greqia për “Dijeni, bashkëpunim me armëmbajtje pa leje nga personi i tretë” dhe i treti është kreu i një komandoje greke me gjasë për së dyti në drejtim të kufirit shqiptar, për të vrarë ushtarakë shqiptarë, siç më parë në Peshkëpi. Fredi Beleri është më shumë sesa një shtetas shqiptar i dënuar këtu, nga drejtësia në Shqipëri për ‘Thirrje për urrejtje kombëtare, poshtërim i Republikës dhe simboleve të saj'”, vijon Braçe.

Braçe u shpreh se “Fredi Beleri është pjesë e një xhiroje të neveritshme të përdorimit të një organizate të minoritetit grek në Shqipëri, për qëllime të errëta, ordinere kundër rendit publik dhe qytetareve në Shqipëri”.

“Fredi Beleri është vetëm çështje e drejtësisë në Shqipëri. Sulmi politik, nacionalist, monist grek dhe fyes, denigrues, shpifës, kriminal i një grushti të vogël shqiptarësh të turpëruar kombëtarisht e ndërkombëtarisht, duhet dënuar kombëtarisht”, u shpreh ai./ata