Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj foli sot në një intervistë në medie për krijimin e dhomës unike të biznesit.

“Prej shumë vitesh diskutohet një reformë për përfaqësimin e biznesit për strukturat dhe organizmat e përfaqësimit të biznesit. Ne aktualisht kemi një sistem ku numëron rreth 180 dhoma, ku numri i bizneseve të regjistruar në këto dhoma shkon më pak se 10 % e numrit total të bizneseve që operojnë në vend”, tha Ibrahimaj.

Ministrja foli dhe për modelet mbi të cilat mbështetet propozimi i ri.

“Ne duam të garantojmë që niveli i përfaqësimit të mos ketë vetëm një dimension rajonal por të ketë edhe një dimension sektorial. Përmes sistemit të ri të dhomave që propozojmë, duhet të krijojmë një dhomë unike kombëtare, e cila lë hapësirë për mënyra të tjera organizimi jashtë dhomës unike, por që të ketë një qasje rajonale dhe sektoriale”, tha ministrja Ibrahimaj.

Qeveria ka menduar edhe mënyrën e formalizimit të regjistrimit të biznesit duke zgjedhur anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve.

“Ne duam të krijojmë një mekanizëm që minimalisht regjistrimin në dhomën unike kombëtare të jetë i detyrueshëm për bizneset, pasi vetëm në këtë formë ne mund të garantojmë që do të kemi të gjithë tërësinë e bizneseve që operojnë në Shqipëri”, tha Ibrahimaj.

Sfida e re e përbashkët e qeverisë dhe e biznesit nis tremujorin e parë të këtij viti për të përfunduar brenda dy viteve, gjatë të cilëve buxheti i shtetit financon anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve./ata