Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut dhe batalionit Komando në Forcën Tokësore është bërë pjesë e stërvitjes KFOR33 në Hohenfels, Gjermani.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se, në këtë stërvitje shumëkombëshe trupat shqiptare po punojnë për të zhvilluar aftësitë e tyre në menaxhimin e turmave, patrullimin dhe kontrollet në pika kalimi.

Peleshi theksoi se këto janë aftësi thelbësore për të siguruar që efektivët të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e sigurisë dhe për të mbajtur rendin në zonën e tyre të përgjegjësisë.

“Pjesëmarrja aktive dhe angazhimi i trupave tanë në zhvillimin e aftësive të nevojshme tregon përgjegjësinë për të përmbushur detyrat tona sipas standardeve të larta të NATO-s”, shtoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale./ata