Në Akademinë e Shkencave është diskutuar me trupën akademike të Institutit të Arkeologjisë dhe të Institutit të Historisë, mbi projektet e këtij viti, prioritetet dhe nevojat e instituteve. Kryetari i ASHSH akad. Skënder Gjinushi tha se qëllimi i këtyre bashkëbisedimeve, që do të vijojnë edhe me institutet e tjera të albanologjisë, është njohja me mendimet e shqetësimet e njëri-tjetrit, si pjesë të një bashkësie shkencore, sidomos me prioritetet dhe nevojat e çdo instituti për mbështetje për realizimin e detyrave të veta tani në prag të marrjes së vendimeve nga bordi i drejtorëve për detajimin e buxhetit vjetor, i cili, ashtu siç ishte parashikuar, për to ka ardhur më vete.
ASH shkroi në faqen e saj online se, shpjegimet e akad. Gjinushit për organizmat e rinj të krijuar me shtesën në Statutin e ASHSH për njësitë e përhershme kërkimore: komisionet, këshillat shkencorë dhe bordin e drejtorëve; si dhe për mënyrën e funksionimit të vetë instituteve, krijuan një klimë dialogu dhe mirëkuptimi.
Siç shkruhet nga Akademia e Shkencave në një postim online, në Statut ka vetëm norma bashkëpunimi dhe asgjë kontrolluese. Aty janë të gjitha garancitë për liritë akademike. Në anën tjetër Statuti mundëson që të ketë punë kërkimore institucionale, duke filluar prej njësisë bazë, departamentit, deri tek instituti. Kjo do të realizohet përmes projekteve të mëdha në albanologji, që janë prioritet themelor, sepse albanologjia duhet të paraprijë, të jetë në linjën e parë.
Në takim u diskutua për mundësitë e formimit të specialistëve në disa dije pa njohës të tyre, si epigrafia e paleografia; në gjuhët e vdekura të antikitetit dhe mesjetës; për lehtësimin e kërkimeve arkivore brenda e jashtë vendit; për vënien në funksionim të laboratorëve të restaurimit; për zonat arkeologjike dhe muzetë; si dhe për shumë çështje të tjera.
Lidhur me Statutin, akad. Gjinushi theksoi se periudha e këshillimit do të zgjasë deri në tetor dhe do të respektohen propozimet e arsyeshme./ata