Universiteti i Tiranës është gati për zgjedhjet e reja të drejtuesve të tij, që do të mbahen më 21 qershor, në linjë me të gjitha universitetet e vendit. Procesi zgjedhor përfshin përzgjedhjen e drejtuesve në të gjitha nivelet e institucionit.
Sipas drejtueses së Komisionit Institucional Zgjedhor (KIZ), Leticja Gusho, janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe është përgatitur infrastruktura për të realizuar një proces model zgjedhor. “Në godinën e Rektoratit të Universiteti të Tiranës po punohet që çdo gjë të jetë gati për ditën e premte,” tha Gusho.
Gusho sqaroi se “në këto zgjedhje do të votohet për zgjedhjen e rektorit të Universitetit, drejtuesve të njësive përbërëse, dekanëve dhe drejtorëve të instituteve pjesë e UT-së, përgjegjësve të njësive bazë (departamenteve), dhe Senatit Akademik, i cili përbëhet nga 30 anëtarë personel akademik dhe 4 studentë. Universiteti i Tiranës përbëhet nga 6 fakultete, dy institute dhe filiali i Sarandës, dhe në secilën prej këtyre njësive do të zhvillohen zgjedhje”.
“Në Universitetin e Tiranës janë 791 votues nga personeli akademik, të cilët kanë të drejtën e votës për Rektorin e Universitetit, Dekanin e Fakultetit, Përgjegjësin e Njësisë Bazë dhe Senatin Akademik. Trupa zgjedhore studentore përbëhet nga 2405 studentë, të cilët votojnë për Rektorin, Dekanin dhe Senatin Akademik”, vijoi Gusho.
Sipas Gushos, “piramida e organizimit dhe menaxhimit të procesit zgjedhor përbëhet nga KIZ në krye, që është përgjegjëse për menaxhimin e procesit në nivel universiteti. Në nivel fakulteti, përgjegjës është Komisioni Zgjedhor i Fakultetit (KZF) dhe në nivel qendre votimi, Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV). Do të ketë një qendër votimi për 1 mijë votues. Studentët dhe stafi akademik do të kenë qendra të veçanta votimi për të siguruar një menaxhim më të mirë dhe efikas.
Pas përfundimit të procesit të votimit, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit do të dorëzohen nga KQV-të te KZF-ja, e cila do të numërojë votat dhe do të dorëzojë procesverbalet pranë KIZ-it. Rezultatet për të gjithë kandidatët do të shpallen brenda 24 orëve”, theksoi Gusho.
Në fund Gushto tha se “procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga 125 vëzhgues të akredituar. Çdo kandidat ka vëzhguesin e tij dhe përveç tyre, do të ketë edhe vëzhgues të pavarur nga radhët e stafit akademik, studentëve dhe organizatave të shoqërisë civile që kanë në fokus monitorimin e universiteteve”./ata