Drejtori i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihma dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Mesme (UNRWA) për Gazën, Thomas White, tha se forcat izraelite sulmuan një autokolonë ndihmash që priste të nisej në veri të Rripit të Gazës.

Drejtori i UNRWA-së për Gazën, White, shkroi në rrjetin social X se autokolona është goditur mëngjesin e sotëm nga të shtënat e marinës izraelite.

Ai gjithashtu deklaroi se askush nuk u lëndua nga sulmi izraelit në autokolonën ushqimore.

"Nuk mund të dërgojmë ndihma humanitare nën zjarr", tha UNRWA, duke theksuar se ekziston një nevojë urgjente për qasje të përhershme dhe të sigurt humanitare kudo, përfshirë Gazën veriore.

Rreth 1,9 milionë njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës për shkak të sulmeve izraelite dhe ndihma humanitare nuk mund të dërgohet mjaftueshëm në rajon. Palestinezët në Rripin e Gazës po bëjnë luftë për mbijetesë./aa