Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare nga ekstremi i djathtë, Itamar Ben-Gvir ka mbrojtur idenë se është "gabim" tërheqja e ushtarëve izraelitë nga disa pika në veri të Rripit të Gazës nën bllokadë dhe ka bërë thirrje për vazhdimin e pushtimit në rajon deri në arritjen e objektivave të përcaktuara.

Nga platforma e medias sociale X, Ben-Gvir bëri deklarata lidhur me lëshimin e shumë raketave nga Gaza drejt Izraelit.

Duke vënë në objektiv Kabinetin e Luftës në të cilin ai nuk është përfshirë, Ben-Gvir ka pretenduar se është "gabim" tërheqja e forcave izraelite nga disa pika në veri të Rripit të Gazës.

Ai pretendoi se raketat e lëshuara në rajonin Netivot u hodhën nga zonat në veri të Gazës nga ku forcat izraelite u tërhoqën. Ben-Gvir tha se "Raketat tregojnë edhe njëherë se pushtimi i Gazës është i nevojshëm për realizimin e objektivave të luftës".

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, në një deklaratë të bërë dje njoftoi se ka përfunduar "faza intensive" e sulmit tokësor në veri të Rripit të Gazës.

Shtypi izraelit shkroi se është tërhequr Divizioni i 36-të në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite vazhdon pushtimin dhe sulmet e saj./aa