Studiuesi dhe shkencëtari holandez Frank Hoogerbeets, i cili pretendon se ka parashikuar tërmetet shkatërruese në Turqi, publikoi një video në YouTube më 12 janar, në të cilën ai tha se 16 dhe 17 shkurti janë kritike për “ngjarje të mundshme sizmike në Mesdhe”.

 

Është veçanërisht befasuese që një tërmet sot ka ndodhur në zonën e Kvarnerit të Kroacisë, me epiqendër në ishullin Krk  rreth orës 11:00. Shërbimi sizmologjik kroat njoftoi se magnituda ishte 4.8, transmeton Telegrafi.

Hoogerbeets u gjend në qendër të vëmendjes, pasi më 3 shkurt njoftoi se jugu i Turqisë do të goditet nga një tërmet me magnitudë 7.5. Në anën tjetër, qendra sizmologjike mesdhetare evropiane (EMSC) ka hedhur poshtë më parë mundësinë e parashikimit të një tërmeti.

“Derisa metoda të dëshmohet shkencërisht, ne do të mbajmë politikën tonë: refuzojmë që kanali ynë të lidhet me pretendime parashikuese”, shkruan ata në Twitter.

“Nëse dikush do të ishte në gjendje të parashikonte tërmetet, do ta meritonte çmimin Nobel! Në vend që të bëni pretendime të paverifikuara në rrjetet sociale, është më mirë të dëshmoni vlefshmërinë e metodës në punën shkencore”, u tha ndër tjera.

“Si gjithmonë pas tërmeteve shkatërruese, mediat sociale janë të mbushura me pretendime se X ose Y e kanë parashikuar atë. Nuk ka asnjë parashikim për momentin. Mos dëgjoni njerëzit që pretendojnë se janë të suksesshëm në të!”, kanë shtuar ata në postimin e tyre në Twitter.