Një burrë nga Kamboxhia që njihet si adhurues i flaktë i aeroplanëve, kishte vendosur të ndërtojë shtëpinë e tij në formë të një fluturake – pavarësisht se kurrë nuk arriti të fluturojë apo udhëtojë me aeroplan.
Eksperti i ndërtimtarisë, Chrach Peou, i shpenzoi 20 mijë dollarë – para të kursyera gjatë jetës, për të ndërtuar një aeroplan nga betoni , që ishte plotësisht si një fluturake e vërtetë, transmeton Telegrafi.
Ka krahë, bisht si dhe motorë, kurse është ndërtuar në afërsi të qytezës Siem Reap. 43-vjeçari baba i tre fëmijëve, thotë se i janë dashur një vit për ta ndërtuar dhe të gjithë paratë e kursyera gjatë 30 viteve.
“Ka qenë ëndërr e imja qysh kur isha fëmijë, kështu që jam i lumtur që ‘ia arrita qëllimit”, tha Peou.
Shtëpia që ka dy dhoma gjumi dhe dy tualeteve, qëndron mbi një pllakë të betonit e cila i ka shtyllat në një lartësi prej gjashtë metrash.
“Mund të jetojmë këtu, të flemë, përdorim tualetet dhe të hamë drekën sikurse në aeroplan. Jam i lumtur për këtë”, shtoi Peou për AFP.
Dizajnin e shtëpisë e bëri duke shikuar pandërprerë video të ndryshme të aeroplanëve privatë.
E të gjithë ata që duan të shkrepin një fotografi dhe ta vizitojnë atë, duhet të paguajnë nga 50 cent deri në një dollarë.