Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një takim me fermerë, të cilët janë përfitues të masave për certifikimin e farave dhe fidanëve.

 

Gjatë takimit ministrja informoi se, “masa e re e fara dhe fidanëve të certifikuar e aplikuar për herë të parë vjet, mbështeti mbi 900 ha serra”.

 

“Ky instrument i ri për mbështetjen e farave dhe fidanëve të certifikuar, u vjen në ndihmë fermerëve të prodhojnë dhe të ruajnë prodhimin dhe të mbështeten për kostot e prodhimit”, tha Krifca.

 

Ministrja u shpreh se, “numërohen rreth 5 mijë fara të ndryshme dhe dru-frutorë me origjinë shqiptare të mbledhura nga i gjithë territori jonë”.

 

“Ky koleksion fushor ruhet në Bankën Gjenetike si një pasuri bimore të jashtëzakonshme, i cili ruhet në Norvegji, ku është banka kombëtare e ruajtjes së farave botërore. Vitin e kaluar rreth 1 mijë hektarë prodhimi perimor janë mbështetur për shkak të certifikimit. Ka patur dhe një sasi më të madhe fermerësh që këtë vit kanë aplikuar”, tha ajo.

 

“Këta fidanë i japin një garanci dhe konsumatorit tonë vendor, por edhe konsumatorëve në tregjet e kualifikuara ku ne synojmë të çojmë produktet në eksport”, theksoi Krifca./ATSH